Masa*ra dhe terror në qytetin sudanez, mbi 2 mijë civilë të vrarë
Raporte për vrasje masive me motiv etnik dhe mizori të tjera po dalin nga El Fasher, pas marrjes së kontrollit të qytetit nga Forcat e Shpejta Mbështetëse (RSF) në rajonin perëndimor të Darfurit në Sudan, gjatë fundjavës.
Videot e publikuara nga aktivistë lokalë tregojnë një luftëtar, i njohur për ekzekutimin e civilëve në zonat e kontrolluara nga RSF, duke qëlluar në një distancë shumë të afërt një grup civilësh të paarmatosur që ishin ulur në tokë.
Materiale të tjera, të shpërndara nga aktivistë pro-demokracisë, tregojnë dhjetëra persona të vrarë, të shtrirë pranë automjeteve të djegura. Këto pamje nuk janë verifikuar, shkruan The Guardian.
Në një deklaratë të martën, Forcat e Përbashkëta, të cilat janë aleate me ushtrinë e Sudanit, akuzuan RSF-në se ka ekzekutuar më shumë se 2 mijë civilë të paarmatosur ditët e fundit.
Laboratori Humanitar i Universitetit Yale, që monitoron luftën në Sudan përmes inteligjencës së hapur dhe imazheve satelitore, tha se ka gjetur prova që përputhen me masakra të kryera nga RSF.
Sipas laboratorit të Yale, qyteti “duket se po kalon një proces sistematik dhe të qëllimshëm pastrimi etnik ndaj komuniteteve indigjene jo-arabe Fur, Zaghawa dhe Berti, përmes zhvendosjes së detyruar dhe ekzekutimeve të menjëhershme”. Kjo përfshin edhe operacione “pastrimi derë më derë” në qytet.
Nathaniel Raymond, drejtori ekzekutiv i laboratorit, tha se imazhet satelitore tregojnë trupa në tokë dhe njolla të kuqe, duke e krahasuar dhunën me 24 orët e para të gjenocidit në Ruandë: “Jemi vetëm në fillim të një vale dhune. Nuk kam parë kurrë një nivel të tillë dhune ndaj një zone si tani”.
RSF deklaroi të dielën se kishte marrë kontrollin e bazës kryesore të ushtrisë në qytet dhe se kishte “çliruar El Fasher nga mercenarët dhe milicitë”. Të hënën, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan konfirmoi tërheqjen e ushtrisë nga qyteti “në një vend më të sigurt”, duke pranuar humbjen.
Lufta civile mes RSF dhe ushtrisë ka nisur në prill 2023 pas një përplasjeje për pushtet. Mbi 150 mijë njerëz janë vrarë dhe më shumë se 14 milionë janë zhvendosur. Frika për sigurinë e dhjetëra mijëra civilëve të bllokuar nga rrethimi 18-mujor i RSF-së ishte rritur javët e fundit.
Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, paralajmëroi për rrezik në rritje të “shkeljeve dhe mizorive me motive etnike” në El Fasher. Zyra e tij tha se po merr raportime alarmante për ekzekutime të menjëhershme dhe mizori të tjera nga RSF.
Agjencitë e lajmeve nuk kanë mundur të kontaktojnë civilët në qytet, pasi Sindikata e Gazetarëve Sudanezë thotë se komunikimet, përfshirë rrjetet satelitore, janë ndërprerë nga një bllokadë mediatike.
Shayna Lewis, eksperte për Sudanin, akuzoi RSF-në për masakrimin e civilëve: “Banorët e El Fasher që janë larguar më parë po mësojnë për vdekjen e të afërmve përmes videove të ekzekutimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale”.
Sipas OKB-së, mbi 1 milion njerëz kanë ikur nga El Fasher që nga fillimi i luftës, dhe rreth 260 mijë civilë, gjysma prej tyre fëmijë, mbeten të bllokuar pa ndihmë. Shumë kanë filluar të ushqehen me foragjere për kafshët.
Në Tawila, 72 km në perëndim, ekipet e Médecins Sans Frontières po përballen me një fluks të madh të plagosurish nga El Fasher. Që nga e diela në mbrëmje, 130 janë hospitalizuar, përfshirë 15 në gjendje kritike.
Kapja e El Fasher nga RSF, qyteti i fundit i madh në Darfur nën kontrollin e ushtrisë, u jep paramilitarëve kontrollin mbi të pesë kryeqytetet e Darfurit dhe shënon një pikë kthese të rëndësishme në luftë. Ushtria tani është e përjashtuar nga një e treta e territorit sudanez, duke ngritur shqetësime për ndarjen e mundshme të vendit. /tvklan

