Ndalohet importi i shpezëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV), duke u bazuar në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Raportin e Komisionit Evropian, të datës 28.10.2025, njofton se në Gjermani është konfirmuar prania e sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotip me patogjenitet të lartë HPAI – H5N1, në disa ferma të shpezëve.
Në lidhje me këtë, në përputhje me dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi dhe në zbatim të masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos si vijon:
Ndalohet importi i shpezëve të gjalla dhe i produkteve të tyre si, mish, vezë dhe nënproduktet e tjera, që kanë origjinën nga i gjithë territori i shtetit të Gjermanisë.
Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga AUV./Indeksonline/

