75 Mall Live Search
13:30 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / Z S

Kallas: Koha për të përfunduar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnjë, por pas forcimit të kapaciteteve vendore

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha në Sarajevë se ka ardhur koha që mbikëqyrja ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë të përfundojë.

Ajo shtoi se kjo mund të ndodhë vetëm kur vendi t’i ketë kapacitetet e nevojshme për të marrë vendime vetë.

Kallas ndodhet të hënën në një vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë, gjatë së cilës vizitoi kampin Butmir pranë Sarajevës, ku janë të vendosur pjesëtarët e Misionit të BE-së për Paqe, EUFOR.

EUFOR-i ka mandat edhe për të përdorur forcën, në rast se “mjedisi i sigurt dhe i qëndrueshëm kërcënohet seriozisht” apo “strukturat ekzistuese të sigurisë janë në rrezik të shemben”.

Kallas tha se ngjarjet e fundit në Kuvendin Popullor të Republikës Serbe paraqesin një mundësi të re për të qetësuar tensionet politike.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të rivendosin besimin tek autoritetet lokale. Qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës meritojnë një shans për stabilitet dhe një shans për të marrë frymë lirshëm”, tha Kallas.

Kuvendi i Republikës Serbe miratoi më 18 tetor Ligjin për shfuqizimin e ligjeve që Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës i kishte shpallur të pavlefshme.

Bëhet fjalë për Ligjin për pasurinë e paluajtshme që përdoret për funksionimin e pushtetit publik, Ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, Ligjin zgjedhor të Republikës Serbe, Ligjin për ndalimin e veprimtarisë së institucioneve jashtëkushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, Ligjin për plotësimin e Kodit penal të Republikës Sërpska, si dhe Ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Serbe.

Kallas tha se Bashkimi Evropian iu përgjigj kërcënimeve ndaj rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës në mars, duke forcuar trupat evropiane në këtë vend.

Ajo iu referua edhe zgjatjes së mandatit të EUFOR-it më 31 tetor, për ç’gjë votoi Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Bota e ka pranuar se ata e bëjnë Bosnje dhe Hercegovinën të sigurt, dhe se BE-ja ka bërë gjithçka që nga Dejtoni deri më sot për ta bërë Bosnje dhe Hercegovinën të sigurt”, shtoi ajo.

Kallas foli edhe për Programin e reformave që ka miratuar Këshilli i Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës dhe që duhet t’i sigurojë këtij vendi mbi një miliard euro nga Plani i rritjes i BE-së.

Bosnjë e Hercegovina ishte e vetmja në rajon që vonoi gati dy vjet me miratimin e këtij dokumenti, dhe për shkak të kësaj vonese, shuma e parashikuar prej një miliard eurosh u ul për 108.5 milionë./Indeksonline/