Alexander-Arnold: S`ka rëndësi pritja në “Anfield”, e dua Liverpool
				Trent Alexander-Arnold do të kthehet në “Anfield” këtë të martë me fanellën e Real Madrid, për ndeshjen e Champions League ndaj Liverpool.
Mbrojtësi anglez e ka pranuar se mund të përballet me fishkëllima nga tifozët, por ka thënë se kjo nuk e ndryshon asgjë për të.
“Kam kaluar vite të jashtëzakonshme te Liverpool dhe do ta dua gjithmonë atë klub. Si do të më presin tifozët, është zgjedhja e tyre. Por ndjenjat e mia nuk ndryshojnë”, ka thënë Alexander-Arnold.
Njëzet e shtatë vjeçari ishte rritur te akademia e Liverpool dhe kishte fituar dy herë titullin e Premier League, si dhe Champions League. Por vendimi i tij për mos ta rinovuar kontratën kishte shkaktuar zemërim te një pjesë e tifozëve, që e kishin fishkëllyer qysh në ndeshjen ndaj Arsenal, pak para largimit të tij.
Liverpool ndërkohë nuk është në formë të mirë, pasi ka pësuar gjashtë humbje në tetë ndeshjet e fundit, por Alexander-Arnold ka thënë se askush te Real Madrid nuk e nënvlerëson skuadrën angleze.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Atmosfera në ‘Anfield’ gjithmonë e bën ndeshjen më intensive. Edhe nëse s’kanë marrë rezultatet e fundit, Liverpool mbetet një ekip i madh dhe askush nuk mendon që do të jetë lehtë”, ka theksuar ai.

