75 Mall Live Search
13:34 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / MSH

Dyshohet se bënte thirrje për kalifat, shteti gjerman mbyll një shoqatë myslimane

Gjermania e ka mbyllur të mërkurën një shoqatë myslimane, duke e akuzuar për veprimtari kundërkushtetutëse, përfshirë thirrje për krijimin e një kalifati, njoftoi Ministria e Brendshme gjermane.

Policia gjermane bastisi shtatë ndërtesa në qytetin verior të Hamburgut, ku e kishte selinë shoqata Muslim Interaktiv.

“Ne nuk do të lejojmë që organizata, si Muslim Interaktiv, ta minojnë shoqërinë tonë të lirë me urrejtjen e tyre… dhe ta sulmojnë vendin tonë nga brenda”, tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt.

Shoqata u vu në qendër të kritikave në prill të vitit 2024 gjatë një proteste në Hamburg, ku më shumë se 1.200 njerëz demonstruan, duke dënuar politikat gjoja islamofobe të Gjermanisë.

Pankartat e mbajtura në atë protestë përfshinin disa me mbishkrimin “kalifati është zgjidhja”, gjë që bëri bujë në të gjithë vendin dhe nxiti debat të ashpër kombëtar.

Shoqata, e akuzuar gjithashtu për mohimin e të drejtave të grave dhe nxitjen e urrejtjes ndaj Izraelit, tani do të shpërbëhet dhe pasuria e saj do të konfiskohet, sipas Ministrisë.