Mblidhet PS, Rama-deputetëve të Tiranës: Pavarësisht vendimit të Kushtetueses, të jemi gati për zgjedhje
Partia Socialiste e Shqipërisë ka mbajtur sonte mbledhje në të cilën mori pjesë kryeministrit Edi Rama dhe deputetët e qarkut të Tiranës, por dhe ministrat dhe kreu i Grupit Parlamentar.
Mësohet se Rama ka qenë i prerë me porositë, ku ka kërkuar rienergjizim të Partisë Socialiste në Tiranë.
“Mos të humbim ritmin e punës së partisë në Tiranë. Pavarësisht situatës nga Kushtetuesja ne duhet të jemi gati për zgjedhje në çdo kohë”, ka theksuar Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura, raporton tch.
Më herët, PS kishte dalë me Ogerta Manastirliun si kandidate për bashkinë e Tiranës, por tashmë Kushtetuesja vendosi se zgjedhje nuk do të ketë dhe kryetar bashkie do të vijojë të jetë Erion Veliaj.
Më 9 nëntor mbahen zgjedhjet në Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive.
Tirana nuk do të mbajë zgjedhje të pjesshme, pasi Kushtetuesja ka anuluar dekretin e presidentit Bajram Begaj, pasi Erion Veliaj ankimoi shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj u shkarkua nga Këshilli i Ministrave pas kërkesës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, me arsyetimin se kishte munguar në punë. Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit 2025i nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.

