75 Mall Live Search
09:02 / E Premte, 07 Nëntor 2025 / KV

Ekskluzive: Ja si ndodhi arrestimi i Astrit Isufit, i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Gollubovc të Malishevës

Burime të IndeksOnline kanë zbuluar detaje të reja lidhur me arrestimin e Astrit Isufit nga Sankoci i Drenasit, i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 6 nëntor në fshatin Gollubovc të Malishevës, ku humbën jetën dy vëllezërit Naim dhe Driton Morina.

Sipas burimeve brenda policisë, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, qytetarë të fshatit Plloqicë të Malishevës kanë vërejtur një person që lëvizte i vetëm në një fushë të hapur. Pas identifikimit të mundshëm, ata kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka reaguar me shpejtësi duke e lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin.

Astrit Isufi, sipas të njëjtave burime, ishte në gjendje të plagosur në momentin e arrestimit. Ai është dërguar fillimisht në urgjencën e Malishevës për trajtim të menjëhershëm mjekësor, ndërsa më pas është transferuar drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, nën përcjelljen e policisë. Aktualisht ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe nën masa të rrepta sigurie.

Policia e Kosovës ka vendosur forca shtesë për sigurinë e tij, ndërsa veprimet e mëtejshme po zhvillohen në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit: “Lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati. Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.”

Kujtojmë se ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik ndodhi të enjten rreth orës 11:30, kur Astrit Isufi dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e vëllezërve Morina për të marrë bashkëshorten e tij, pas të pames për babanë e saj të ndjerë. Pas një debati, ai ishte rikthyer dhe kishte hapur zjarr, duke i lënë të vdekur dy vëllezërit./IndeksOnline/