Kurti: Kushtetushmëria dhe ligjshmëria do të jenë për të gjithë, pa dallim kryetarësh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në perurimin e parkut në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, së bashku me kryetarin e komunës veriore Erden Atiq, nënkryetaren dhe kryetarin e ardhshëm të komunës jugore, Faton Peci dhe disa ministra të qeverisë.
“Jemi këtu bashkë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës-Veriu, Erden Atiq, edhe nënkryetaren, por gjithashtu edhe me kryetarin e ardhshëm të Komunës së Mitrovicës – Jugu, Faton Pecin, me ministrat që janë të gjithë bashkë për këtë ditë të gëzuar – për rini, për fëmijë, për komunë dhe për të gjithë banorët pa dallim. Unë falënderoj shumë për bashkëpunimin e institucioneve të nivelit qendror me ato lokale dhe e gëzoftë kjo ditë të mbarë për të gjithë”, ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë për të gjithë.
“Kushtetushmëria dhe ligjshmëria do të jenë në vend për të gjithë, pa dallim të pushtetit lokal, pavarësisht kryetarëve që shkojnë e vijnë. Shteti, republika, do të jetë këtu pranë jush – për shqiptarë, për serbë, për boshnjakë dhe për të gjitha komunat”, ka shtuar tutje kryeministri.

