75 Mall Live Search
16:15 / E Shtunë, 08 Nëntor 2025 / MSH

Ben Blushi zbulon titullin e librit të ri, quhet “Jam mysliman”

Autori i njohur, Ben Blushi, ka publikuar titullin e librit të tij më të ri – “Jam mysliman”.

Blushi deklaroi se shumë njerëz mund të habiten me titullin e romanit të tij, por që nuk përkon me arsyet përse e ka shkruar.

“Romani përshkruan historinë e një shkrimtari i cili pas shumë peripecive vendos të bëhet mysliman.

Pikëpamjet e tij për Islamin ndryshojnë gradualisht për shkak të disa luhatjeve në jetën e tij private dhe sidomos gjatë një vizite në Mekë ku ai mrekullohet” shkroi ish-ministri shqiptar.

Ky është njoftimi i plotë i tij:

JAM MYSLIMAN

E di që shumë njerëz do habiten me titullin e romanit tim të ri po nuk është kjo arsyeja pse e kam shkruar.

Unë jam një ateist dhe fjalia Jam Mysliman duket sikur nuk shkon në gojën time.

E megjithatë unë mendoj se shkon.

Nuk ka asnjë fjali që një shkrimtar nuk mund ta thotë me gojën e përsonazheve të vet.

Romani përshkruan historinë e një shkrimtari i cili pas shumë peripecive vendos të bëhet mysliman.

Pikëpamjet e tij për Islamin ndryshojnë gradualisht për shkak të disa luhatjeve në jetën e tij private dhe sidomos gjatë një vizite në Mekë ku ai mrekullohet.

Në fund, pas një incidenti me një grup fanatikësh, shkrimtari shpall në facebook vendimin e tij me shënimin : Jam Mysliman.

Kjo fjali i ka dhënë dhe titullin librit.

Shpresoj shumë që romani të lexohet siç është, pra si letërsi dhe asgjë tjetër.

Jam Mysliman do promovohet të hënën pasdite dhe duke nisur nga e marta do jetë në çdo librari si dhe në Panairin e Librit.