75 Mall Live Search
07:21 / E Diele, 09 Nëntor 2025 / MSH

Radoniqi fton qytetarët të dalin në zgjedhje, sqaron dilemat rreth votimit me asistencë

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka votuar sot në Pejë.

Radoniqi ka qenë i pari që votoi në qendrën e tij të votimit, në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, duke përçuar thirrjen te qytetarët, që të dalin e të votojnë.

“Sot po fillojmë raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunave. Sa i përket KQZ-së dhe në përkrahje të sekretariatit, çdo gjë është gati për të filluar sot votimi dhe për t’u ofruar qytetarëve mundësinë të shprehin vullnetin e tyre përmes votës” deklaroi Radoniqi.

Radoniqi shpreson që procesi të zhvillohet në mënyrë demokratike, ashtu siç ka hije, duke bërë thirrje që të respektohen ligjet dhe rregullat, shkruan IndeksOnline.

Rreth dilemave mbi të votuarit me asistencë, Radoniqi tha:

“Sa i përket votimit me asistencë, KQZ-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat, procedurat dhe manualin për trajnime dhe të gjitha kanë qenë të theksuara edhe përmes trajnimeve. Si ka ndodhë në realitet, në ditën e zgjedhjeve nëpër vendvotime, mbetet nën administrimin e KKZ-së, pra të Komisioneve Komunale, dhe Këshillave të Votimit. Ne e kemi bërë të qartë që në disa vende votimi me asistencë ka qenë shumë i theksuar dhe në disa raste edhe arsyetimi i tyre nuk ka qenë i duhur në librat e votimit. Për këtë arsye e kemi ngritur shqetësimin dhe shpresojmë që sot do të ketë më shumë kujdes.”

Rikujtojmë se garës së balotazhit do t’i nënshtrohen komunat: Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

Të drejt vote kanë mbi 1 milion e 316 mijë votues./IndeksOnline/