75 Mall Live Search
12:09 / E Diele, 09 Nëntor 2025 / S Z

Këto janë pritjet e qytetarëve të Prishtinës për zgjedhjet e sotme

Procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, po shkon mirë dhe pa probleme. Qytetarët të cilët shfrytëzuan të drejtën e votimit në këtë qendër votimi thanë se nuk patën ndonjë paqartësi dhe se procesi shkoi mirë.

Në raundin e dytë për zgjedhjet lokale në Prishtinë janë në garë Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili është edhe kryetar aktual, si dhe Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Qytetari Musliu Bunjaku tha se procesi i votimit ishte i lehtë dhe pa ndonjë paqartësi. Ai shtoi se po presin që situata në Prishtinë të jetë më e mirë pas balotazhit të 9 nëntorit.

Mirë shumë votuam dhe përfunduam obligimin… S’ka pasur asgjë dhe gjithçka ishte në rregull… Po presim më mirë se këto që janë kanë”, tha ai.

Ndërsa qytetari tjetër, Hakif Hoxha, tha po ashtu se procesi i votimit ishte në rregull dhe pa ndonjë problematikë, derisa shtoi se po presin që në kryeqytet të ndodhë ndryshimi.

Mirë shumë, s’patëm asgjë, mirë ishte… Çka kemi pritur gjithë, por kurrë s’ka ardhur. Ndryshim, por kurrë s’po vjen, por megjithatë duhet me kry obligimin qytetar”, potencoi ai.

Për KosovaPress foli edhe qytetari tjetër, Agim Murati, i cili tha se qytetarët në Prishtinë janë lodhur me komunikacionin e dendur dhe, siç shtoi, shumë preokupime të tjera.

Procesi ka shkuar shumë mirë dhe lehtë. Më lehtë nuk di qysh… Po presim më të mirën pasi që qytetarët janë lodhur me pakënaqësitë që e kanë preokupuar qytetin. Siç është lirimi i komunikacionit dhe do gjëra të tjera që janë në qytet. Ishalla ai që fiton i rregullon, sepse jena lodhë”, tha ai.

Ndërkaq, qytetari tjetër, Skënder Jahaj, tha shkurt se beson se do të ndryshohet qeverisja në Prishtinë.

“Besoj se do të ndryshohet gjendja në Prishtinë”, tha ai.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Prishtinë është 222 mijë e 418, ndërsa në tërësi janë 51 qendra votimi dhe gjithsej 268 vendvotime.

Përparim Rama nga LDK në raundin e parë ka marrë 33.71 për qind, ndërsa Hajrulla Çeku nga LVV 33.21 për qind.