75 Mall Live Search
18:38 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / F.R

ShBA godet dy anije të dyshuara për trafik droge në Paqësor, vriten gjashtë persona

Operacionet e forcave amerikane kundër trafikantëve të dyshuar të drogës në brigjet e Amerikës së Jugut kanë hyrë në një fazë më agresive, me sulme kinetike që sipas zyrtarëve amerikanë kanë rezultuar me vdekjen e disa të dyshuarve dhe kanë nxitur kritika të ashpra nga organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë e rajonit.

Sipas njoftimeve zyrtare, SHBA-ja goditi dje dy anije të dyshuara për trafik droge, duke vrarë gjashtë persona.

“Dje, me urdhër të presidentit Trump, dy sulme kinetike vdekjeprurëse u kryen në dy anije të operuara nga organizata të caktuara terroriste”, tha sekretari i Mbrojtjes i administratës Trump, Pete Hegseth.

Hegseth theksoi se sulmet u kryen në ujëra ndërkombëtare dhe se në çdo anije ndodheshin tre “narko-terroristë” meshkuj, të cilët, sipas tij, të gjashtë u vranë.

“Asnjë forcë amerikane nuk u lëndua. Nën Presidentin Trump, ne po mbrojmë atdheun dhe po vrasim këta terroristë të kartelit që dëshirojnë të dëmtojnë vendin tonë dhe popullin e tij”, shtoi ai në një postim në rrjetin social X.

Zyrtarët amerikanë kanë nisur sulmet e tilla që nga fillimi i shtatorit, duke synuar anije në Karaibe dhe Paqësorin lindor — sulme të cilat sipas disa ekspertëve mund të konsiderohen si vrasje jashtëgjyqësore edhe kur synojnë trafikantë të njohur. Që nga fillimi i operacioneve janë raportuar më shumë se 70 të vdekur.

Hegseth argumentoi se objektivat ishin identifikuar si të lidhura me kontrabandën e paligjshme të narkotikëve dhe po lëviznin përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit në Paqësorin Lindor, por deri tani Uashingtoni nuk ka publikuar prova konkrete që të vërtetojnë se anijet po transportonin drogë ose përbënin kërcënim direkt për SHBA-në.

Reagimet ndërkombëtare ishin të menjëhershme dhe të forta. Shefi i të drejtave të njeriut i Kombeve të Bashkuara i ka cilësuar sulmet të papranueshme dhe si shkelje të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Venezuela i ka quajtur operacionet “të paligjshme, vrasje dhe agresion kundër një shteti sovran”.

Presidenti venezuelas, Nicolás Maduro, akuzoi Donald Trump se po përpiqet të rrëzojë qeverinë e tij – një deklaratë që presidenti amerikan ka minimizuar – pavarësisht raporteve për kontakte të administratës amerikane me opozitën venezuelase.

Ngjarjet vënë në pah tensionet në rritje rreth metodave të përdorura për të goditur rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës: ndërkohë që autoritetet amerikane theksojnë nevojën për të ndërprerë rrugët e kontrabandës, kritikët paralajmërojnë për pasoja serioze juridike dhe diplomatike kur veprimet ushtarake kryhen jashtë kuadrit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe pa prova të publikuara.