75 Mall Live Search
20:10 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / F.R

P Diddy mohon akuzat se është kapur duke pirë alkool në burg

Sean “Diddy” Combs ka reaguar ndaj raportimeve se ai është kapur duke konsumuar alkool gjatë vuajtjes së dënimit në burgun federal me siguri të ulët Fort Dix Federal Correctional Institution në New Jersey.

Në një deklaratë të publikuar të shtunën në platformën X, ekipi i tij hodhi poshtë kategorikisht lajmet:

“Thashethemet që pretendojnë se z. Combs është kapur me alkool janë krejtësisht të rreme,” – shkroi ekipi menaxhues i themeluesit të Bad Boy Records.

“Fokusi i tij i vetëm është të bëhet versioni më i mirë i vetes dhe të rikthehet te familja e tij.”

Reagimi erdhi pasi TMZ raportoi se Combs dyshohej se kishte konsumuar një lloj “alkooli të bërë vetë në burg”, i përgatitur duke përzier e fermentuar sheqer, Fanta dhe mollë. Burime të paidentifikuara për medien sugjeronin se ai mund të kishte “telashe me autoritetet e burgut”, megjithatë një zyrtar i institucionit korrektues deklaroi se “nuk kishte asnjë informacion” për këtë incident.

Ndërkohë, një përfaqësues i Combs i tha Page Six se ai është i përqendruar te përshtatja me jetën në burg dhe te transformimi personal:

“Si çdo personazh shumë i njohur në një mjedis të ri, gjatë kohës së tij atje do të ketë shumë thashetheme dhe histori të ekzagjeruara shumica prej tyre të pavërteta,” –u shpreh zëdhënësi.

“Ne kërkojmë që njerëzit t’i japin atij të drejtën e dyshimit dhe privatësinë për t’u fokusuar te rritja e tij personale, me dinjitet dhe qëllim.”