Formula që mund ta rikthejë Leo Messin te Barcelona
Thashethemet për rikthimin e mundshëm të Leo Messit te Barcelona janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Arsyeja është një seri fotosh të publikuara nga vetë argjentinasi në stadiumin e rinovuar “Camp Nou”, të shoqëruara me mbishkrimin emocional: “Do të kthehem një ditë, jo vetëm për të thënë lamtumirë”.
Messi, aktualisht lojtar i Inter Miamit në MLS, ka ndezur shpresat e tifozëve për një rikthim simbolik te klubi ku u bë legjendë. Në moshën 38-vjeçare, ai duket i gatshëm të mbyllë karrierën me një rikthim në “shtëpinë” e tij të vjetër.
Barcelona po analizon mundësinë e këtij rikthimi, megjithëse pengesa financiare dhe rregullat për lojtarët jashtë Bashkimit Evropian e bëjnë çështjen të ndërlikuar. Një nga opsionet që po përmendet është përdorimi i ashtuquajturit “Ligji Beckham”, që i lejon lojtarët e MLS-së të bashkohen përkohësisht me klube evropiane gjatë pushimit të sezonit amerikan.
Nëse Inter Miami jep pëlqimin, një marrëveshje e tillë mund të ndodhë që në merkaton e janarit. Messi mund të kthehej për disa muaj në Barcelonë, përpara se të vendosë për të ardhmen e tij përfundimtare si lojtar, si simbol apo si ambasador i klubit.
Për Barcelonën, një rikthim i tillë do të kishte vlerë të madhe sportive dhe emocionale, duke forcuar lidhjen e klubit me tifozët dhe duke sjellë përvojë në dhomën e zhveshjes.
Në çdo rast, rikthimi i mundshëm i Leo Messit mbetet një skenar që emocionon gjithë botën e futbollit dhe që mund të bëhet realitet më shpejt nga sa pritet.

