Ancelotti këshillon Endrickun të largohet nga Real Madridi
Njëmbëdhjetë minuta. Kaq ka luajtur Endrick këtë sezon për Real Madridin. Futbollisti brazilian po kalon një periudhë shumë të vështirë në klub dhe thashethemet për një largim të mundshëm në merkaton e dimrit janë praktikisht të sigurta.
Qëllimi i tij, të gjejë një mundësi që do t’i lejojë të jetë pjesë e skuadrës së Carlo Ancelottit për Kupën e Botës verën e ardhshme.
Trajneri i Brazilit, Ancelotti ka rekomanduar që sulmuesi të largohet nga Real Madridi për të pasur një shans për të luajtur në Kupën e Botës.
“Po, fola me të (Endrick) në fillim të sezonit. Ai ishte i lënduar, por tani është mirë, është rikthyer dhe duhet të mendojë bashkë me familjen e tij se çfarë është më e mira. Ai duhet të flasë me klubin për të parë se çfarë i përshtatet”, tha trajneri italian.
“Endrick është shumë i ri, kjo nuk do të jetë Kupa e Botës e tij e fundit. Ai mund të luajë në vitin 2026 sepse ka cilësinë e nevojshme, por edhe në vitet 2030, 2034, apo edhe 2038. Gjëja e rëndësishme është që ai të luajë përsëri dhe të tregojë cilësinë e tij”, përfundoi trajneri./Indeksonline/

