Meriton Korenica: Shpresoj që të marrim rezultate pozitive dhe të bëjmë historinë e Kosovës
Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar edhe sot me përkushtim të madh përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror 2026, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.
Seanca e radhës stërvitore është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në ambient pozitiv dhe me intensitet të lartë, teksa përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar.
Në këtë stërvitje, Dardanët janë përqendruar kryesisht në aspektin taktik dhe në zbatimin e filozofisë së lojës që përzgjedhësi Foda synon ta aplikojë në ndeshjen e parë të këtij muaji, atë kundër Sllovenisë. Loja me presion të lartë, qarkullimi i shpejtë i topit dhe koordinimi në fazën mbrojtëse kanë qenë disa nga elementet që janë punuar me kujdes nga stafi teknik.
Atmosfera brenda grupit është mjaft e mirë dhe ndjenja e besimit për sukses është e lart, teksa futbollistët po përgatiten me motiv të madh për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive dhe për ta mbajtur gjallë shpresën e kualifikimit historik.
Meriton Korenica u paraqit në migrofonin e FFK-së dhe u shpreh shumë optimist për dy ndeshjet e muajit nëntor:
“Dy ndeshje shumë të rëndësishme për kombëtaren tonë. Bashkëlojtarët po përgatiten maksimalisht për këto dy ndeshje dhe forma e tyre është shumë e lartë. Gjithçka po shkon shumë mirë dhe shpresoj që të marrim rezultate pozitive dhe të bëjmë historinë e Kosovës. Dalëngadalë kemi filluar të punojmë në aspektin taktik. Ne kemi treguar lojëra shumë të mira dhe shpresoj të vazhdojmë tutje me këtë formë të lartë”, tha Korenica.

