75 Mall Live Search
18:42 / E Mërkurë, 12 Nëntor 2025 / S Z

Rrëfimi i dëshmitarit në gjykimin për krime lufte: M’i kanë vra babën e nanën në prezencë të fëmijëve të vegjël, aty ka qenë edhe Sladani

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq, para trupit gjykues ka dhënë dëshminë dëshmitari Sylejman Mustafa, i cili tha se i akuzuari Trajkoviq ishte pjesë e ngjarjeve në Vushtrri më 1999, mes tyre edhe kur iu vranë prindërit.

Dëshmitari Mustafa dëshminë e tij e kishte nisiur më 26 nëntor 2024, ndërsa sot vazhdoi me marrjen në pyetje nga mbrojtja e të akuzuarit Trajkoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”

Rrëfimin e tij, dëshmitari Mustafa e nisi nga ngjarja e mëngjesit të 27 marsit 1999, ku tregoi se në shtëpinë e tij ishte familja e gruas së tij nga Skenderaj apo siç iu referua dëshmitari- nga Drenica. Ndërsa, me këkesën e mikut të tij L.K, e kishte përcjellë pasi e njihte zonën rreth fshatit të tij.

Sipas dëshmitarit ata ishin larguar nga shtëpitë për shkak të luftës atje.

“Ata kanë ikë prej lufte gra e fëmijë, miqtë kanë nejt një kohë te unë edhe u ba një lloj armëpushimi, a në Drenicë vazhdimisht lufta vazhdonte, një djalë i një miku i ri më tha që po shkoj në Polac te shpia, te shpiat e veta- dhe unë e kam ditë ku e kanë pas këta postbllokun në shpi të Ilisë, Ilia Nesiq. Unë e kam ditë që miku nuk e di rrugën, e me kanë i Drenicës, Sladani e di mirë çka ju kanë ba” tha Mustafa.

Dëshmitari Mustafa tha se në mëngjesin e asaj dite, pasi që e kishte përcjellë mikun e tij, rrugës për në shtëpi kishte parë një grup ku aty tha se ishte edhe i akuzuari Trajkoviq duke e rrahur një plak deri në vdekje, ndërsa shtoi se më pas kishin shkuar në oborrin e Ilija Nedelkoviqit.

“Kanë hyp në traktora dhe kanë shku në oborr të Ilisë, edhe ma nuk i kam pa. Kam shku në vend të ngjarjes e kam pa atë plakun, e kishin ba gjak e këqyra ai kishte vdekë”, tha Mustafa.

I pyetur lidhur me ngjarjen e atij mëngjesi, dëshmitari deklaroi se e kishte parë të akuzuarin Trajkoviq duke e goditur plakun me kondak.

“Po, e ka goditë edhe Sladani me kondakë të automatit, kur kanë fillu goditjet, kur m’ka kallxu A., unë kam hyrë në çeshme se jam tutë që po më nijnë edhe mu, ma kishin ba si atij. S’kanë pas këta pendreka kurrë, e di çka është pendreku, e di çka është kondaku, e di çka është stupci, e kanë goditë me kondaka të automatit”, tha ndër të tjera Mustafa.

Edhe më tutje, lidhur me këtë ngjarje, dëshmitari Mustafa tha se kishte kuptuar nga personat që e kishin varrosur viktimën se ishin detyruar të thonin se ai ishte vrarë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“I pandehuri me ata persona, i ka detyru ata persona me varros edhe me thanë e ka vra UÇK-ja këtë plak”, tha Mustafa.

Në dëshminë e tij, dëshmitari Mustafa foli edhe për vrasjen e dy prindërve të tij më 16 prill 1999, aty tha se ishte edhe i akuzuari Trajkoviq bashkë me serbë të tjerë të uniformuar dhe të armatosur.

“Më 16 prill m’i kanë vra babën edhe nanën në prezencë të fëmijëve të vegjël. Nënës m’i ka ra armë Zoran Bigoviqi i Novolanit, ka qenë Opel Askona ngjyrë vishnje edhe një traktor me kerr Fergusan. Në veturë kanë qenë katër vetë, ka qenë edhe Sladani, kanë pasë uniformë të policisë, një ditë i veshnin teshat e policisë, një ditë të ushtrisë”, tha Mustafa.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni konstatoi se pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Mustafa është përmbyllur cikli i dëgjimit të dëshmitarëve në këtë çështje.

Trupi gjykues aprovoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Trajkoviq, avokatit Bogdan Laziq që seanca e planifikuar për nesër të anulohet për arsye personale të tij.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.