75 Mall Live Search
21:15 / E Mërkurë, 12 Nëntor 2025 / Z S

Basha priti në takim Atdhe Hetemin, vlerësoi punën e IKKL-së në dokumentimin e krimeve të luftës

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, së bashku me nënkryetaren Albulena Haxhiu, priti sot në takim Drejtorin e Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, i cili prezantoi raportin e punës për periudhën 8 nëntor 2024 – 9 nëntor 2025.

Në takim u diskutua për punën e rëndësishme që ky institucion po bën në ruajtjen dhe dokumentimin e kujtesës sonë historike.

Duke falënderuar drejtorin Hetemi dhe stafin e Institutit për përkushtimin e tyre ndaj së vërtetës dhe dokumentimit të vuajtjeve të popullit tonë gjatë gjenocidit të Serbisë, kryetari Basha tha se roli i këtij institucioni është thelbësor për forcimin e drejtësisë dhe për përgatitjen e bazës që kriminelët të mos i shpëtojnë ndëshkimit.

“Dokumentimi i krimeve të luftës, dëbimeve, dhunimeve e masakrave është akt i kujtesës në shërbim të drejtësisë. Si shtet dhe si shoqëri, kemi detyrim moral e institucional ta mbështesim këtë punë, për të mos lejuar që e kaluara të zbehet dhe për të kërkuar drejtësi për çdo krim të kryer në Kosovë”, tha kryetari Dimal Basha.

Instituti, i themeluar në nëntor 2023, është bërë qendër e hulumtimit, dokumentimit dhe përpunimit të materialeve mbi krimet që regjimi serb i Millosheviqit kreu ndaj popullit tonë, si dhe i veprimeve dhe ngjarjeve që kanë dërguar te lufta në Kosovë, me qëllim të paraqitjes së plotë të fakteve dhe kontekstit historik.