Vengu: Shqipëria do të prodhojë anije ushtarake me Italinë
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu zbuloi nga Roma detaje rreth marrëveshjeve që u firmosën sa i përket fushës së mbrojtjes, në mbledhjen e parë të përbashkët të qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.
Vengu zbuloi se kompania shtetërore “KAYO”, e cila është përgjegjëse për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake sipas një kontrate të nënshkruar me kompaninë italiane, “Fincantieri”, do të prodhojë anije ushtarake.
“Prej tre dekadash kjo është hera e parë që rinovojmë partneritetin ushtarak me Italinë, për shumë arsye brenda NATO-s, për arsye të industrinë ushtarake që duam të kemi në fokus nga të dyja brigjet e Adriatikut. Kemi dy marrëveshje që nënshkruhen mes kompanisë shtetërore “KAYO” dhe gjigantit italian “Fincantieri” për prodhimin e anijeve ushtarake dhe jo vetëm në Pashaliman. Kjo është një arritje domethënëse e mbledhjes mes dy qeverive. Një marrëveshje tjetër mes “KAYO-s” dhe një kompanie tjetër italiane “Leonardo”, e specializuar në teknologjinë ushtarake, mbrojtjen kibernetike me fokus të veçantë në tryezën e dy kryeministrave”, tha Vengu.
Ministri i Mbrojtjes më tej zbuloi se Italia do të asistojë palën shqiptare edhe për përmirësimin e kapaciteteve të Mbrojtjes Civile, shkruan A2CNN.
“Dhe vijmë edhe me një mbështetje domethënëse sa i përket Mbrojtjes Civile, ku kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me palën italiane. Këtë partneritet duam ta çojmë në një nivel edhe më të lartë me krijimin e të gjitha sistemeve të paralajmërimit të hershëm, të stërvitjes dhe të gjithë sistemit të qëndrueshmërisë së Emergjencave Civile në vendin tonë, dhe krijimin e detyrimit që bur9on nga BE për të pasur edhe ne numrin europian 112, ku të gjithë qytetarët apo vizitorët mund t’i referohen për çdo emergjencë që mund të kenë”, zbuloi Vengu.

