Jo vetëm histori, ja shuma financiare që përfiton Shqipëria në rast kualifikimi në “Play off”-in e Botërorit
Nëse futbolli do të ishte një shkencë ekzakte, ne sot do të festonim ende pa u luajtur ndeshja me Andorrën vendin e dytë në grup apo kualifikimin për në fazën e play-off-it në Botëror, sepse çdo parashikim statistikor na çon në avantazh ndaj kundërshtarit të sotëm, por edhe Anglinë përballë me Serbinë, ndeshje nga ku varet automatikisht kualifikimi zyrtar që në këtë mbrëmje.
Ndodh kështu pasi një fitore e Kuqezinjve sot përballë Andorrës dhe një humbje e Serbisë në “Wembley” përballë Anglisë, na kalon një ndeshje përpara mbylljes së këtyre eliminatoreve, në play-off-in e Botërorit të 2026-s. Bilanci ynë me Andorrën është pozitiv, me 6 fitore, një barazim dhe një humbje, ndërkohë që në këto eliminatore duhet thënë se sërish kemi bërë paraqitje mjaft të mira.
Pas 6 ndeshjesh kemi 3 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje, me vetëm 3 gola të pësuar dhe 6 të shënuar.
Në krahun tjetër, Serbia që do të luajë sot në “Wembley” përballë Anglisë, u mund nga “3 Luanët” në Beograd dy muaj më parë 5-0 dhe në të 6 përballjet që kanë me skuadrën angleze i kanë të gjitha humbje.
Kjo të bën të mendosh që edhe mbrëmjen e sotme, në tempullin e futbollit, ata do të kenë të njëjtin fat që kryqëzohet me ne për të na zyrtarizuar kualifikimin.
Por kualifikimi për në finalet e Botërorit, që është një fazë pas play-off-it, për kuqezinjtë, veç realizimit të ëndrrës historike sportive, sjell edhe përfitime financiare. Deri në këto momente, asnjë rezultat dhe as play-off-i nuk ka shpërblim.
Ndërsa, nëse Shqipëria do të jetë një nga 48 skuadrat më të forta të botës për t’u futur në fazën finale të Botërorit, atëherë shpërblimi është rreth 9 milionë euro, dhe më pas çdo fitore ka një shpërblim prej rreth 1.5 milionë euro dhe 500 mijë euro barazimi. Pra, një sukses sa sportiv aq edhe financiar për të përmbushur projektet e futbollit vendas.
Megjithatë, hapi i parë do të jetë kualifikimi për në play-off, ndeshje të cilat zhvillohen me një takim, dhe deri në këto momente, pasi nuk është ende përfundimtare, kuqezinjtë në play-off mund të përballen me kundërshtarë si Polonia, Çekia, Sllovakia apo Italia. Por deri atëherë këto mund të ndryshojnë dhe ka ende kohë, pasi këto përballje luhen në muajin mars 2026.
Si fillim, na duhet të fitojmë sot, dhe për këtë të gjithë jemi me sytë e fiksuar në ekranin e DigitAlb që do të transmetojë drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht ndeshjen, pasi vetëm rreth 1000 tifozë shqiptarë do të jenë në stadiumin 5000-vendësh të Andorrës për ta shijuar nga afër këtë mbrëmje të madhe, në të cilën 11 kuqezinjtë që do të jenë në fushë janë të vetëdijshëm se duhet të na bëjnë, si gjithmonë, krenarë.

