75 Mall Live Search
08:32 / E Premte, 14 Nëntor 2025 / Z S

Nëna e serbit nga Kosova që dyshohet u plagos e u rrëmbye nga xhandarmëria serbe, kërkon ndihmë nga EULEX-i dhe KFOR-i

Nga Leposaviqi erdhi në Prishtinë mëngjesin e së enjtes.

Nëna e Millan Vukashinoviq, serbit nga Kosova i cili dyshohet  u plagos dhe më par u rrëmbye nga xhandarmëria serbe, erdhi në selinë e EULEX-it për të kërkuar ndihmë për të birin e saj.

Në një deklaratë për Tëvë1, nëna e Vukashinoviqit tha nuk ka fare besim në institucionet në Beograd, andaj po kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët.

“Kam ardhur të kërkoj ndihmë nga EULEX-i, nëse mund të më takojnë, të më marrin birin tim sepse nuk kam besim në institucionet e Serbisë. Dita e 13-të dhe unë ose nuk marr informata, ose i marr informatat që janë kontradiktore. Vizitat nuk janë të lejuara, nuk e kam parë qe 13 ditë, nuk më lejojnë as mua, as avokatin”, u shpreh ajo.

Ajo shkon edhe më tutje, duke aluduar se i biri nuk është fare duke u trajtuar në Spitalin e Nishit.

“Nuk kam besim se është duke u shëruar atje, kam frikë nga më e keqja. Për këtë arsye kam ardhur të kërkoj ndihmë nga EULEX-i dhe KFOR-i. Nuk e di, sepse çdo ditë më japin informata më ndryshe. Çdo ditë ndryshojnë. Ditën e 9-të më kanë thënë se duhet operim në nyjën e këmbës. Në fillim as nuk e kanë përmendur”, tha ajo.

E në një përgjigje për Tëvë1, EULEX-i ka konfirmuar se janë duke e monitoruar rastin.

Sipas zëdhënëses, Nicolle Miller, EULEX-i është i gatshëm të lehtësoi shkëmbimin e informacioneve midis Serbisë dhe Kosovës nëse i kërkohet nga institucionet e vendit.

“Në përputhje me mandatin tonë aktual, EULEX-i po e monitoron këtë rast. Për më tepër, EULEX-i është i gatshëm të mbështesë hetimin duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit policor midis Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë, nëse një ndihmë e tillë kërkohet nga institucionet përkatëse të Kosovës që mbajnë përgjegjësinë për të hetuar rastin në mënyrë efektive dhe të paanshme”, u tha ajo.

Më 1 nëntor, Millan Vukashinoviq shkoi për të blerë mjaltë nga një shoku i tij, ku më pas dyshohet se xhandarmëria serbe plagosi dhe më pas e rrëmbeu pesë metra brenda territorit të Kosovës në pikën zero të fshatit Jellackë të Leposaviqit./Indeksonline/