“Hiç s’kemi presion”, Ermal Krasniqi gati për ndeshjet e nëntorit: Kemi treguar cilësi të lartë, premtimi për tifozët?… do luftojmë!
Kombëtarja e Kosovës gjatë muajit nëntor luan dy “finale” të mëdha, për kualifikim të Kupës së Botës 2026.
Indeksonline.net në një intervistë me Ermal Krasniqin, ka folur për pritshmëritë në këto dy ndeshje, formën e tij te Leagia e Warsawa dhe për gjasat e një kualifikimi historik në Kupën e Botës.

Krasniqi fillimisht flet për paraqitjet pozitive te ekipi polak, ku në tri ndeshjet e fundit ka shënuar dy gola, shkruan Indeksonline
“Po, normalisht që këto paraqitje më japin shumë besim. Kur ndihmon ekipin të fitosh dhe arrin të shënosh gola, gjithçka bëhet më e lehtë edhe nga ana psikologjike. Ndihem mirë fizikisht dhe jam i motivuar maksimalisht që këtë formë ta transferoj edhe te Kombëtarja”, u shpreh fillimisht Krasniqi.

Kosova luan ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, dy ndeshje shumë të rëndësishme që çojnë drejt play-offit ose kualifikimit direkt në “World Cup”.
“Janë dy ndeshje shumë të forta, me kundërshtarë që kanë cilësi të lartë, por ne kemi treguar edhe më herët se mund të përballemi denjësisht me çdo ekip. Me përqendrim dhe disiplinë maksimale, besoj se mund të marrim rezultate pozitive. Kemi cilësi dhe mendoj që jemi gati për sfida të tilla”, vazhdoi tutje sulmuesi anësor
A do të jetë i gatshëm për ndeshje dhe për ta treguar formën e tij të mirë edhe te Kosova?
“Patjetër. Kur je në formë të mirë në klub, kjo ndikon direkt edhe te paraqitjet me Kombëtaren. Do të jap gjithçka në fushë, si gjithmonë, për ta ndihmuar ekipin. Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne dhe dua të jap maksimumin tim”.

Foda deri tani ka mbajtur pesë seanca stërvitore dhe sot “dardanët” nisen drejt Lubjanës. Krasniqi tregon për atmosferën në ekip para ndeshjeve të nëntorit:
“Atmosfera është shumë e mirë. Kemi një grup të bashkuar, ku të gjithë e ndjejmë përgjegjësinë, por edhe besimin se mund të arrijmë diçka të madhe. Ka energji pozitive, përkrahje dhe një frymë shumë të shëndoshë në ekip. Kjo është baza e suksesit tonë.”
Dy shtete/kundërshtarë të fortë, por ZERO PRESION:
“Jo presion, por motivim. Të luash kundër ekipeve të tilla është kënaqësi dhe një mundësi për t’u dëshmuar. Do të hyjmë në fushë me bindje se mund të bëjmë diçka pozitive”.

Mbështetje të madhe futbollistët “Dardanë” do të kenë edhe në Lubjanë dhe në “Fadil Vokrri”, dhe kjo është dëshmuar edhe në ndeshjet e kaluara në këtë garë. Ermal Krasniqi u premton tifozëve se do të luftojnë deri në fund.
“Tifozëve dua t’u them faleminderit për mbështetjen e jashtëzakonshme që na japin gjithmonë. E dimë sa shumë e duan këtë Kombëtare dhe premtimi ynë është se do të luftojmë deri në fund. Derisa ka shanse, ne do të besojmë. Kualifikimi do t’ishte diçka historike dhe do të japim gjithçka për ta bërë realitet.”

Kosova të shtunën fillimisht luan ndaj Sllovenisë, në rast se fiton siguron matematikisht play-offin. Por me një fitore dhe me një dështim të Zvicrës ndaj Suedisë (barazim apo humbje), lufton për vendin e parë në ndeshjen “finale” ndaj “helvetikëve” në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./Indeksonline/ Granit Tërstena/

