Të paktën gjashtë të vdekur në aksidentin me autobus në Stokholm
Të paktën gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën pasi një autobus goditi një stacion autobusi në qendër të Stokholmit, tha sot policia suedeze, duke shtuar se nuk kishte informacione që tregonin se ky incident mund të ishte një sulm, sipas CNN, shkruan ATSH.
“Në incident pati gjashtë viktima”, tha një zëdhënës i shërbimeve të shpëtimit të Stokholmit. Zëdhënësi tha se nuk kishte patur pasagjerë në autobus.
“Po hetohet si vrasje e pavullnetshme. Shoferi i autobusit është arrestuar, por kjo është një rutinë në një incident të tillë”, tha një zëdhënës i policisë, duke shtuar se nuk kishin informacione që tregonin se ishte një sulm.
Policia tha se për momentin nuk do të komentonte për numrin, gjininë ose moshat e të vrarëve ose të plagosurve.

