75 Mall Live Search
23:23 / E Diele, 16 Nëntor 2025 / F.R

Ushtarët izraelitë qëllojnë mbi paqeruajtësit e OKB-së në Liban

Ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Libanin jugor. Askush nuk u lëndua në incidentin e së dielës.

Sipas misionit paqeruajtës të OKB-së UNIFIL, forcat izraelite qëlluan nga një tank i vendosur në territorin libanez ndaj paqeruajtësve në këmbë. Zjarri i rëndë me mitraloz ra vetëm pesë metra larg, duke i detyruar ata të strehoheshin.

Ushtria izraelite deklaroi se ushtarët fillimisht u ngatërruan me të dyshuar për shkak të motit të keq. Incidenti është nën hetim. Tanku u tërhoq, pasi paqeruajtësit e OKB-së kontaktuan ushtrinë izraelite përmes kanaleve zyrtare.

UNIFIL e përshkroi incidentin, si një “shkelje serioze” të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë përcakton, ndër të tjera, se asnjë njësi e armatosur përveç paqeruajtësve të OKB-së dhe ushtrisë libaneze nuk mund të veprojë në Libanin jugor.

Ushtria libaneze deklaroi se shkeljet e sovranitetit të saj nga Izraeli, po shkaktonin paqëndrueshmëri në vend.