Drita shpërblen me 700 mijë euro futbollistët, Presidenti Murseli premton edhe premio tjera
Klubi i Dritës ka shpërndarë një premio prej 700 mijë euro për stafin dhe futbollistët, pas suksesit në sezonin e kaluar.
Në një prononcim për IndeksOnline, Presidenti i Dritës, Feti Murseli ka konfirmuar se kjo premio është për titullin kampion të Superligës dhe kualifikimin në grupet e Conference League.
“Po është e vërtet që lojtarët dhe i gjithë stafi janë shpërblyer me premia për titullin kampion që e kemi fituar por gjithashtu edhe për ndeshjet e kualifikimeve për në grupet e Conference League, ku si vlerë kap shifren e 700 mijë eurove.”, deklaroi Murseli.
Ai po ashtu tha se kjo nuk është e tëra, pasi pronarët e klubit i shpërblejnë ekipin me premio për çdo sukses në ndeshjet e Conference League dhe Superligës.
“Kjo nuk është e tëra sepse për çdo ndeshje në Ligën e Konferencës, pronarët e klubit shpërblejnë ekipin me premia dhe ne jemi vetëm në gjysmë të rrugës dhe jemi duke shkuar shumë mirë. Kjo do të thotë që për çdo ndeshje kemi premia si në Superligë gjithashtu edhe në ndeshjet e Conference League.”, tha Feti Murseli në një intervistë për IndeksOnline.

