75 Mall Live Search
17:32 / E Diele, 23 Nëntor 2025 / F.R

Abdixhiku: Prishtinën e bllokuat, por Prishtina foli qartë – mesazhin e merrni me 28 dhjetor

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar sërish Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadë në lidhje me buxhetin e kryeqytetit duke thënë se ata nuk e kanë marrë mesazhin në zgjedhjet lokale ku Prishtina iu besua edhe për një mandat kandidatit të LDK-së, Përparim Ramës.

Sidoqoftë, Abdixhiku pret që mesazhin përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje, ta marrë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit.

“Prishtinën e bllokuan. Dhe Prishtina foli e para, foli qartë. LDK-në e riktheu si parti të parë; bllokuesit i la larg”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

“Mesazhin e Prishtinës nuk e paskan marrë qartë. Do ta marrin me 28 dhjetor sërish. Sepse Prishtina as nuk lakmohet e as nuk përdoret për beteja primitive të Don Kishotit me Sanço Pançot e tij”.

“Mund të bllokoni. Mund dhe të pengoni; sepse vetëm kaq dini, vetëm kaq mundeni. Por propaganda nuk e mund të vërtetën dot. Për 12 muaj të tërë, sikurse nën pushtim, e mbajtët Kryeqytetin pa buxhet. Na u dashtë të shpenzojmë energji e kohë që të mirëmbajmë Prishtinën me mund, të plaçkitur nga një sekt popullist që shkatërrimin e vendit e ka mision. Teksa shpërndanin vitra për votë; pa ligj e pa legjitimitet, për Prishtinë, Kryeqytetin e vendit të vet, në llumin e madh të burokracisë vazhduan ta mbajnë për plot një vjet”.