75 Mall Live Search
11:21 / E Hënë, 24 Nëntor 2025 / KV

Bllokimi i buxhetit/ Përparim Rama proteston para Qeverisë: Kërkon takim urgjent me Kurtin dhe Muratin (Video)

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar takim urgjent me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Muratin, për të diskutuar krizën buxhetore që ka goditur Komunën e Prishtinës, transmeton IndeksOnline.

Rama iu bashkua sot protestës së transportuesve privatë dhe punëtorëve të Trafikut Urban para ndërtesës së Qeverisë, ku akuzoi ekzekutivin se po i mban peng të hyrat vetanake të kryeqytetit.

Ai u ka shprehur falënderim protestuesve për punën e tyre, duke theksuar se problemet financiare janë pasojë e bllokimit të fondeve nga Qeveria.

“Ju faleminderit për punën që keni bërë deri më tani, edhe përkundër problemeve buxhetore që po i përjetojmë tash e disa muaj si rezultat i bllokimit të fondeve të Komunës nga Qeveria”, ka thënë Rama para protestuesve.

Kriza buxhetore ka bërë që punëtorët e Trafikut Urban të mbesin pa paga, duke rënduar edhe më shumë situatën në shërbimet publike të kryeqytetit.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës vazhdon të akuzojë Qeverinë se po i bllokon të hyrat vetanake, çka sipas saj, po e pengon funksionimin normal të shërbimeve komunale./IndeksOnline/