75 Mall Live Search
12:42 / E Mërkurë, 26 Nëntor 2025 / MSH

Ramadani dënohet për kritikat rreth ndërtimeve të parregullta në Ferizaj

Valon Ramadani thotë se është njoftuar nga mediat për dënimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt, karshi tij.

Përmes një reagimi zyrtar, deputeti i LVV-së thotë se e vetmja gjë që ka bërë është denoncimi i ndërtimeve të parregullta, shkruan IndeksOnline.

“Mora vesh nga mediat se Gjykata e Ferizajit më paska dënuar për shkak se katër vite më parë unë i dhashë zë asaj që shumica e qytetarëve mendojnë dhe kritikova PDK-në për ndërtimet e parregullta, tenderimet favorizuese dhe sekserët që bëjnë marrëveshje joligjore në komunën tonë. Sipas këtij vendimi, kjo qenka shpifje, e ne duhet ta mbyllim gojën edhe pse po i shohim se çfarë po ndodh” u shpreh Ramadani.

Ai pohoi se çështjen do ta çojë në Gjykatën e Apelit, teksa e ftoi gjyqtarin e çështjes të lexojë edhe një herë ligjin kundër shpifjes dhe fyerjes.

Ky është postimi i plotë i tij:

Mora vesh nga mediat se Gjykata e Ferizajit më paska dënuar për shkak se katër vite më parë unë i dhashë zë asaj që shumica e qytetarëve mendojnë dhe kritikova PDK-në për ndërtimet e parregullta, tenderimet favorizuese dhe sekserët që bëjnë marrëveshje joligjore në komunën tonë. Sipas këtij vendimi, kjo qenka shpifje, e ne duhet ta mbyllim gojën edhe pse po i shohim se çfarë po ndodh.

E para, është qesharake dhe kriminale që këtë dënim e morën vesh disa portale para se ta marrin vesh palët, para se të botohet zyrtarisht. Kjo tregon se në gjykatat tona ka njerëz që as nuk e respektojnë institucionin ku punojnë dhe as të drejtat tona.

E dyta, kjo çështje nuk do të mbetet këtu, pasi do ta dërgoj në Apel ku jam i sigurt se do të fitojë e drejta e jo PDK-ja. Por, vetëm dua ta them një porosi: e ftoj gjyqtarin e çështjes që të paktën ta lexojë një herë Ligjin Nr. 02/L-065 kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

E treta, beteja do të vazhdojë. Jemi me qytetarët, nuk do ndalojmë asnjëherë së foluri për shqetësimet e tyre të drejta. Në Kosovë nuk do të lejojmë as bajraktarë e as sekserë, sepse duhet dhe do të vendoset sistem i drejtë, edhe në nivel lokal, edhe në komunën e Ferizajit.