Bora pengoi rikthimin në Itali, Juventusi më në fund niset drejt Torinos
Juventusi është larguar më në fund nga Bodo pas një dite plot pasiguri për shkak të motit të keq që paralizoi aeroportin e qytetit.
Pavarësisht se ndeshja Bodo/Glimt–Juventus u zhvillua normalisht, jashtë fushe situata ishte shumë më ndryshe.
Bora e dendur dhe akulli mbuluan plotësisht pistën e aeroportit gjatë natës, duke çuar në anulime dhe vonesa të shumta të fluturimeve. Asnjë avion nuk ishte ngritur prej mëngjesit, duke bllokuar në qytet qindra tifozë të Juventusit.
Edhe skuadra bardhezi u detyrua të kalonte natën në Bodo pas fitores në Champions League, ndërsa kthimi i tyre për në Torino ishte planifikuar për në mesditë. Vetëm rreth orës 13:30 u dha drita jeshile dhe Juventusi mundi të nisej me një fluturim çarter drejt Caselle.
Tani ekipi i Spallettit do të përgatitet për sfidën e radhës në kampionat, ku të shtunën në Allianz Stadium do të presë Cagliarin.

