75 Mall Live Search
22:30 / E Enjte, 27 Nëntor 2025 / Z S

Nga UÇK te Ushtria e Kosovës: 28 Vite Rrugëtim dhe Transformim

Në ditën e Forcës, si çdo vit, u ekspozua armatimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Aty nuk munguan as pjesëtarët e forcës, që dallohen nga uniformat.

Por, kjo forcë që në çdo ngjarje të madhe i ekspozon kapacitetet e saj, rrënjët i kishte shumë ma herët.

28 vjet më parë doli në skenë haptazi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si nevojë e domosdoshme e popullit për ta mbrojtur nga pushtuesi serb.

Kjo ndodhi, më 28 nëntor 1997 gjatë ceremonisë së varrimit të arsimtarit Halit Geci nga Llausha e Skenderajt, të vrarë nga policia serbe, ku në tribunë u ngjitën të veshur me uniformën e UÇK-së luftëtarët dhe komandantët e ardhshëm Daut Haradinaj, Rexhep Selimi e Mujë Krasniqi.

Në periudhën shkurt-mars 98’, komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Adem Jashari, me njësitin e tij ushtarak, vuri nën kontrollin e UÇK-së territorin e Drenicës. Në atë kohë forca të shumta ushtarako-policore të armatosura me autoblinda e artileri të rendë sulmuan Drenicën.

Adem Jashari luftoi tri ditë e tri net nga kulla e tij, së bashku me gjithë familjen. Asnjë nga anëtarët e familjes dhe shumë nga farefisi nuk pranuan të largohen, por luftuan derisa ranë heroikisht 56 persona nga mosha 5 deri 74 vjeç.

Lufta e lavdishme e UÇK-së vazhdoi edhe për shumë kohë. Pak pas përfundimit të luftës ndodh një moment tjetër historikë, çmilitarizimi i UÇK-së. Aty djem e vajza që luftuan për çlirimin e vendit dorëzuan armët e tyre për t`i hapur rrugë një procesi tjetër.

UÇK-ja po transformohej në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Ishte viti 1999 kur nisi çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar më vonë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Kjo e gjitha kishte nisur pas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë.

Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së, saktësisht Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut.

Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për rindërtimin dhe komunitetet.

TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej.

Por, pas 7 vjetësh sikur kishte ardhur koha për një moment tjetër historik. Formimin e një force të re.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beogradit, ?Standardet për Kosovën?, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TKM-së, dhe krijimi i një force të re.

Dhe ashtu ndodhi.

Pas dy vjetësh, saktësisht më 20 janar të 2009, TMK-ja zyrtarisht u shpërbë duke u riformuar në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Kjo forcë fillimisht, kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

Më 4 mars të vitit 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihet t?i mbërrijë kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës, vendim ky që nuk arriti të finalizohej për 4 vjet.

Në dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjet që nisën transformimin e FSK-së në ushtri. Procesi u planifikua të zgjasë 10 vjet dhe përfshinte rritjen e numrit të pjesëtarëve, zgjerimin e kapaciteteve operacionale, modernizimin e pajisjeve dhe ndërtimin e strukturave të mbrojtjes territoriale.

Ky vendim e formalizoi tranzicionin, duke shndërruar FSK-në nga forcë civile në forcë të armatosur me mandat mbrojtës.

Tanimë Kosova ndodhet në fazën e fundit të tranzicionit në ushtri. Në këto vite, FSK ka kaluar në fazën përfundimtare të tranzicionit, buxheti i mbrojtjes është rritur çdo vit, janë shtuar kapacitetet njerëzore dhe rezervat, është rritur bashkëpunimi me SHBA-në, Britaninë dhe NATO-n, janë përfshirë pajisje dhe teknologji modern si dhe ka marrë pjesë në stërvitje ndërkombëtare të shkallës së gjerë.

Në vitin 2025, FSK vlerësohet si një institucion profesional, stabil dhe në proces të konsolidimit të plotë si Ushtria e Kosovës.