Joseph: Kosova si model për paqen në Ukrainë
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, propozon një qasje strategjike për të arritur paqe në Ukrainë, duke u bazuar në modelin e Kosovës.
Ai e ka trajtuar këtë ide edhe në një analizë të publikuar në revistën akademike SAIS Review of International Affairs.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Joseph shpjegon se zbatimi i parimeve të Rezolutës 1244 në Donbas – administrimi ndërkombëtar, vendosja e trupave paqeruajtëse dhe shtyrja e çështjes së sovranitetit për më vonë – mund t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie pa pasur nevojë të pranojë aneksimin rus të rajonit.
“Gjëja më e rëndësishme dhe më interesante e përdorimit të modelit të Kosovës në Donbas – pra në Ukrainë – për të arritur një armëpushim, është se presidenti rus [Vladimir] Putin e mbështet atë. Kjo është pika fillestare, por jo e vetmja. Putin, për më shumë se dy dekada, ka insistuar se duhet të respektohet Rezoluta 1244. [v.j. Me këtë rezolutë të vitit 1999 është urdhëruar tërheqja e trupave të Republikës Federale të Jugosllavisë nga Kosova dhe vendosja e Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara]. Putin, gjithashtu, ka përsëritur vazhdimisht se Kosova dhe Ukraina janë e njëjta gjë. Ideja e përdorimit të një modeli është krejtësisht e përshtatshme. Administrata amerikane po merr elemente nga plani për Gazën. Por, unë mendoj se modeli i Kosovës është shumë më relevant se ai i Gazës. Modelin e Kosovës edhe vetë Putin e di shumë mirë”, thotë mes tjerash Edward P. Joseph.
Joseph vlerëson gjithashtu përpjekjet e administratës Trump, duke theksuar se ajo ka vënë në qendër arritjen e paqes në Ukrainë dhe ka sjellë dinamikë të re në procesin e negociatave.
“Tani, gjëja pozitive – dhe presidentit Trump duhet t’i jepen merita për këtë – është se ai, ndryshe nga [paraardhësi i tij, Joe] Biden, i jep përparësi arritjes së paqes. Kjo është një gjë e mirë dhe ka sjellë një dinamikë të re. Ka krijuar ndjesinë se e gjithë kjo ka të bëjë me përfundimin e luftës. Nuk ka të bëjë me mposhtjen e Rusisë apo me dhënien e ndonjë mesazhi për rendin global…”, deklaron Joseph në intervistën e dhënë për REL.

