Ekstradohet nga Shqipëria i pandehuri për kultivimin e 1259 bimëve kanabis në Malishevë
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit N.Sh., shtetas i Shqipërisë, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri N.Sh., në bashkëveprim me personin tjetër të dyshuar O.Sh., në periudhë të pavërtetuar kohore deri më 19 qershor 2024, në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës, ka kultivuar në tri parcela gjithsej 1259 bimë të llojit kanabis sativa. Parcelat janë zbuluar dhe dokumentuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri.
I pandehuri ishte në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale dhe është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar. Pas arrestimit, ai është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës dhe është vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes dhe pengimit të procedurës penale. Gjykata pritet të marrë vendimin në ditët në vijim.

