Takimi me Witkoff/ Putin nuk lëkundet, mblidhen me urgjencë ministrat e NATO-s
Pesë orë bisedime në Kremlin nuk mjaftuan për ta bindur Vladimir Putinin për planin 28 pikësh të paqes me Ukrainën, për miratimin e të cilit SHBA-ja është angazhuar maksimalisht.
Presidenti rus u takua me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, i cili tanimë do të kthehet në Washington për ta informuar nga afër presidentin Donald Trump lidhur me rezultatet e bisedimeve.
Më pas përfaqësues të SHBA-së, ndër ta edhe dhëndri i Trumpit Jared Kushner, sërish do të vendosin kontakte me Rusinë, e pohuar kjo nga këshilltari i Putinit Juri Ushakov. Ushakov i cilësoi bisedimet si konstruktive, me përmbajtje dhe të dobishme. Palët, sipas tij, nuk janë shumë larg një paqeje, por as edhe nuk janë afër një zgjidhjeje të konfliktit. Ka ende shumë punë për të bërë u shpreh ai.
Ende nuk ka një kompromis lidhur me çështjen e shkëputjes së territoreve ukrainase që kërkon Rusia. Putin kërkon të gjithë Donbasin, ndonëse ai nuk i kontrollon disa pjesë të këtij rajoni. Kievi vazhdimisht e hedh poshtë këtë kërkesë. Kreu i shtetit rus insiston se kërkesat e Europës për paqe janë të papranueshme, duke treguar kështu se për të, problem kryesor qëndron tek blloku europian.
“Ne nuk kemi ndërmend të luftojmë me Europën, por nëse Europa kërkon luftë me ne, jemi gati që tani”, tha Putin.
Nga kreu i NATO-s, Mark Rutte, kjo deklaratë e Putinit u lexua si dëshmi e faktit që Rusia po përgatitet për një përballje afatgjatë. Këtë e bëri të qartë edhe në tryezën e rrumbullakët që ministrat e jashtëm të aleancës zhvilluan me urgjencë.
“Rusia vazhdon të testojë aftësinë tonë parandaluese. Duhet të kuptojmë të gjithë se po përballemi me rreziqe reale dhe afatgjata. Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të aleancës me avionë dhe me dronë, ka kryer sabotime e ka dërguar anije spiune në ujërat e saj. Të gjitha këto veprime janë të pamatura dhe të rrezikshme”, u shpreh Rutte.
Rutte shtoi se Rusia po “punon ngushtë” me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin “për të dëmtuar shoqëritë tona dhe për të shkatërruar rregullat globale”. Vendet e NATO-s po “rrisin investimet në mbrojtje, por të gjithë duhet të kontribuojmë”, theksoi ai.

