75 Mall Live Search
17:05 / E Mërkurë, 03 Dhjetor 2025 / S Z

Moscertifikimi i Listës Serbe, Avokati i Popullit: Vendim pa bazë të qëndrueshme juridike

Institucioni i Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e KQZ-së, për të mos e certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas këtij Institucionit, ky vendim është marrë pa bazë të qëndrueshme juridike dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj.

Avokati i Popullit ka rikujtuar se përshtatshmëria politike vendoset nga qytetarët përmes votës së lirë dhe e jo përmes vendimeve administrative.

“E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përbën një nga shtyllat themelore të demokracisë. Në këtë kuadër, shteti ka detyrimin pozitiv të sigurojë kushte të barabarta dhe procedura të drejta për të gjithë garuesit politikë, duke garantuar që çdo kufizim të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i mbështetur në ligj. Prandaj, çdo ndërhyrje e pajustifikuar që pengon pjesëmarrjen e një subjekti politik cenon këtë të drejtë dhe ndikon drejtpërdrejt në integritetin e procesit zgjedhor”, thuher në reagim.

Institucioni i Avokatit të pullit ka thënë se ishte detyrim i KQZ-së që të konstatonte faktet dhe të certifikonte subjektet që i plotësojnë kërkesat ligjore, duke garantuar sigurinë juridike dhe respektimin e procedurave në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Avokati i Popullit rikujton se, sipas praktikave ndërkombëtare, masat që prekin ekzistencën ose pjesëmarrjen e një partie politike, përfshirë moscertifikimin, duhet të bazohen në një ligj të qartë, të qasshëm dhe të parashikueshëm, si dhe të respektojnë plotësisht procedurat e parashikuara me ligj. Ndërhyrjet parandaluese janë të lejueshme vetëm kur bazohen në veprime konkrete të ndaluara me ligj dhe në vendime të formës së prerë të gjykatës, e jo në bazë të qëndrimeve politike”, thuhet tutje në reagim.

Avokati i Popullit ka thënë se mirëpret reagimet e akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët theksuan se moscertifikimi arbitrar i një subjekti politik cenon të drejtat e njeriut, besimin në procesin zgjedhor dhe parimin e gjithëpërfshirjes.

“Avokati i Popullit kërkon nga organet kompetente ta shqyrtojnë këtë vendim dhe të veprojnë në përputhje me parimin e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe vlerave të shoqërisë demokratike, duke garantuar mbrojtjen efektive të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”, kanë thënë nga Avokati i Popullit.