Inspektorati mbyll një biznes në Vushtrri, nuk i plotësonte kushtet e punës
Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të një subjekti punues në Komunën e Vushtrrisë, pasi gjatë kontrollit është konstatuar se kushtet e punës paraqisnin rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, inspektimi është kryer pas pranimit të një ankese anonime, e cila ka ngritur dyshime për shkelje të standardeve të sigurisë në vendin e punës.
Njësitë inspektuese kanë verifikuar situatën në një subjekt me veprimtari në sektorin e shitjes dhe kanë gjetur se mjedisi i punës nuk i plotësonte normat minimale të sigurisë.
“Në bazë të kompetencave ligjore dhe me qëllim mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së punëtorëve, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të veprimtarisë punuese, deri në plotësimin e të gjitha masave të kërkuara,” thuhet në njoftim.
Inspektorati thekson se mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në garantimin e kushteve të sigurta e dinjitoze për çdo punëtor, pavarësisht sektorit ku ushtrohet veprimtaria.

