Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takim me ambasadorin Guérot
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor.
“Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull. Në takim u diskutua edhe për marrjen e detyrës së kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës, përfshirë komunave në veri të vendit, proces ky që u realizua sot.” – thuhet në njoftim.
Osmani ka theksuar urgjencën e heqjes së masave të BE-së të cilat padrejtësisht e pa asnjë arsye janë ende në fuqi dhe po dëmtojnë interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

