75 Mall Live Search
22:16 / E Premte, 05 Dhjetor 2025 / Gj Sh

Suhareka po bëhet me super stadium, Albin Kurti njofton investimin prej 11 milionë eurosh

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se për ndërtimin e Stadiumit të ri të Suharekës janë ndarë 11 milionë euro, një investim që synon modernizimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve të avancuara për futbollin kosovar.

Sipas postimit të tij, përfitues i këtij projekti është KF “Ballkani”, skuadra që ka përfaqësuar me dinjitet dhe sukses Kosovën në arenën ndërkombëtare., shkruan IndeksOnline.

Stadiumi i ri do të ofrojë mbi 6,500 ulëse, duke u bërë një qendër moderne për tifozët nga i gjithë rajoni, të cilët do të kenë mundësinë të mbështesin ekipin e tyre në kushte të standardeve evropiane.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se, ndërkohë që punimet në stadiumin kryesor janë duke vazhduar, fusha ndihmëse tashmë është përfunduar, duke krijuar hapësira të reja stërvitore për klubin dhe për zhvillimin e talenteve të rinj.

Kryeministri në detyrë theksoi se modernizimi i infrastrukturës sportive mbetet prioritet i qeverisjes, me synimin që t’u ofrohen sportistëve dhe qytetarëve hapësira më funksionale dhe më të sigurta.

Projekti pritet të transformojë Suharekën në një qendër të rëndësishme sportive në vend, duke forcuar edhe më tej sukseset e KF “Ballkanit” dhe zhvillimin e futbollit kosovar./IndeksOnline/