Dorëheqja e kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës lidhet me vrasjen e Ivanoviqit
Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, ka dhënë dorëheqje sot nga kjo pozitë, bëjnë të ditur burime të KosovaPress.
Sipas këtyre burimeve, motivi është i paqartë, por ka indikacione se dorëheqja e tij ndërlidhet me hetimet penale të cilat po zhvillohen në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.
Sipas mediumut, arsye e dorëheqjes ka ardhur pas përplasjes së tij dhe kryeprokurorit pas arrestimit të dy policëve që dyshohen se kanë fshehur provat me rastin e vrasjes së Ivanoviqit.
KP ka provuar të kontaktojë kryetarin Kabashiq, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. I kontaktuar nëpërmjet telefonit, nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ali Kutllovci, nuk e ka konfirmuar dorëheqjen, duke thënë se nuk është në dijeni për këtë .
Në lidhje me këtë është deklaruar avokati Musa Damati i cili tha se ekzekutivi i vendit duhet të jetë më serioz në sigurimin e zbatueshmërisë së marrëveshjes së arritur për drejtësi.
“Këto mund të konsiderohen si pasojat e para të marrëveshjes për drejtësi të arritur midis dy Qeverive. Qeveria e Kosovës duhet të ketë qasje më serioze në funksionalizimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor në veri të vendit”, ka thënë Damati.