75 Mall Live Search
19:45 / E Hënë, 08 Dhjetor 2025 / L A

Mjeku i Frankfurtit shkarkohet për një arsye të pazakontë

Kriza te Eintracht Frankfurtit, që fundjavën e kaluar u turpërua me humbjen 0-6 kundër Leipzigut, nuk po kufizohet vetëm në fushë. Pasiguria dhe tensioni po ndihen fort edhe jashtë saj.

Pavarësisht pakënaqësive të tifozëve, drejtori sportiv, Markus Krosche, vazhdon t’i besojë trajnerit Dino Toppmöller. Por një nga punonjësit e klubit nuk i shpëtoi largimit dhe arsyeja është tejet e çuditshme.

Sipas ‘Bild’, Eintracht Frankfurti ka shkarkuar mjekun kryesor të skuadrës, Fabian Plachel, pasi ai dyshohet se ka trajtuar një lojtar kundërshtar pa dijeninë e klubit. Bëhet fjalë për sulmuesin austriak të Heidenheim-it, Mathias Honsak, incident që ndodhi në fillim të nëntorit gjatë ndeshjes mes dy ekipeve.

Frankfurti deklaron se nuk ka pasur asnjë informacion për ndihmën mjekësore të ofruar lojtarit të Heidenheim-it, ndihmë e cila dyshohet se ka ndodhur në hotelin ku skuadra po qëndronte në grumbullim.

Sipas burimeve, Honsak është parë nga anëtarë të klubit teksa lëvizte në korridoret e hotelit, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra dhe habi te lojtarët e Frankfurtit.

‘Bild’ shton se vendi i lënë bosh nga Plachel tashmë është plotësuar nga brenda klubit: Sebastian Schneider, mjek i strukturave të Eintrachtit, ka marrë detyrën e mjekut kryesor të ekipit.

Një episod i pazakontë, që shton edhe më shumë zhurmën rreth një Frankfurti në krizë të thellë sportive dhe organizative.