Nesër protestë në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë
Pas Prishtinës, Hagës, Tiranës dhe Strasburgut, organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mblidhen të shtunën, më 13 dhjetor, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Ata do të protestojnë sërish kundër procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët prej gati 5 vitesh mbahen ende në paraburgim.
Kreu i organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se autoritetet maqedonase e kanë dhënë lejen për zhvillimin e këtij tubimi, ndërsa kërkon prej tyre që të mos krijojnë pengesa në kufi për shqiptarët që do të kërkojnë të bëhen pjesë e këtij organizimi.
“Ata kanë marrë përsipër ta bëjnë sigurinë, por shpresoj që edhe kufiri do të jetë i hapur. Ashtu më kanë premtuar. Kërkesa ime ka qenë që listat serbe të mos jenë në kufi të Maqedonisë”, tha ai.
Gucati ka ironizuar edhe vendimin e qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski për të krijuar një shtab krize për garantimin e sigurisë në këtë protestë, duke theksuar se kjo ka nxitur edhe më shumë shqiptarët që t’i bashkohen tubimit që do të mbahet të shtunën.
“Jam i bindur që do ta kalojmë perimetrin që kemi menduar. Shqiptarët janë irrituar pak, ama e falënderoj Mickoskin që i ka irrituar dhe i ka shtyrë për të dalë në protestë dhe i them faleminderit që e ke bërë një deklaratë kundër nesh, dhe tash shqiptarët pozitivisht do të dalin dhe do të na bashkohen.”
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë, akuza për të cilat të katër ish-zyrtarët e lartë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

