75 Mall Live Search
15:19 / E Premte, 26 Dhjetor 2025 / KV

IPK arreston 47 persona gjatë vitit 2025, prej tyre 41 policë

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar përmbledhjen vjetore të aktiviteteve për vitin 2025 (deri më 26 dhjetor), ku theksohet rritje e ndjeshme e ankesave ndaj Policisë së Kosovës dhe një sërë masash hetimore e disiplinore të ndërmarra për raste të ndryshme.
Sipas raportit, gjatë këtij viti IPK ka pranuar 2480 ankesa, që paraqet rritje mbi 20% krahasuar me vitin 2024. Nga to: 1753 ankesa janë trajtuar si shkelje disiplinore, të përcjella në Drejtorinë për hetime të brendshme në Polici, 717 ankesa janë proceduar në Departamentin e Hetimeve në IPK për dyshim të veprave penale

Në kuadër të hetimeve: janë arrestuar 47 persona (41 policë dhe 6 qytetarë), janë dhënë 129 rekomandime për suspendim, 2 rekomandime për transfer, në prokurori janë dorëzuar 110 kallëzime penale, 36 raporte të veçanta dhe 85 raporte informuese.

Vepra penale më të shpeshta të trajtuara këtë vit kanë qenë:

Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare
Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar
Rrezikim i trafikut publik
Lëndim i lehtë trupor
Kanosje

Gjatë vitit 2025 IPK ka kryer 12 inspektime, nga të cilat 5 të rregullta dhe 7 të jashtëzakonshme, ku janë dhënë 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore.

Inspektimet kanë përfshirë stacione policore në Podujevë, Gjilan, Mitrovicë, Prizren, çështjet e dhunës në familje, qendrën e ndalimit, trajtimin e automjeteve të sekuestruara dhe menaxhimin e rasteve të narkotikëve.

IPK njofton se ka vazhduar bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar me ICITAP, OSBE, EULEX e partnerë tjerë, si dhe përfaqësimin në platforma evropiane kundër korrupsionit, kurse raporti i plotë vjetor pritet të publikohet së shpejti.

Inspektorati falënderon qytetarët për bashkëpunim, duke theksuar përkushtimin për ruajtjen e integritetit policor dhe standardeve profesionale në shërbim të qytetarëve.