Përparim Rama përkrah Fadil Aliun për Kuvendin e Kosovës
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur përkrahje të fuqishme për Fadil Aliun – Hertica, duke e vlerësuar kontributin dhe profesionalizmin e tij në shërbim të Kryeqytetit.
Përmes një postimi në Facebook, Rama theksoi se Aliu gjatë mandatit të kaluar, për një periudhë të gjatë ka ushtruar detyrën e Menaxherit të Personelit, duke dhënë një kontribut të çmuar dhe të vazhdueshëm në funksionimin e administratës komunale. Ai shtoi se Aliu së fundmi ka qenë i angazhuar edhe në cilësinë e Këshilltarit, duke dëshmuar përkushtim dhe profesionalizëm të lartë.
Rama vlerësoi gjithashtu prejardhjen familjare të Aliut, duke kujtuar kontributin e jashtëzakonshëm të familjes së tij për Kryeqytetin, veçanërisht në fushën e arsimit shqip gjatë viteve ’90.
Sipas Ramës, Fadil Aliu mbetet shembull i fjalëve të pakta dhe punëve të mëdha, duke shtuar se ai i duhet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe meriton përkrahjen dhe besimin e qytetarëve./IndeksOnline/

