75 Mall Live Search
08:10 / E Diele, 28 Dhjetor 2025 / S Z

Qytetarët presin rezultat zgjedhor që nuk krijon bllokada institucionale

Procesi i votimit në qendrën më të madhe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës ka filluar me kohë, ndërsa fluksi i njerëzve ende nuk ka nisur.

Ndërkaq, menaxheri i kësaj qendre, Emanuel Gjolekaj prapa kamerave, tha se dy zyrtarë të cilët ishin të paraparë për tavolinën ndihmëse në Fakultetin e Filologjisë nuk kanë arritur ende. Gjithashtu, ai tha se është lajmëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për këtë rast.

Ndërsa në vendvotimin me numër 1906/7 nuk është funksionale kamera.

Qytetari Xhafer Brajshori për Ekonomia Online tha se pret rezultate pozitive nga këto zgjedhje.

“Presim mu përmirësu, me punu, mu bashku e jo me bllokada. Na kanë blloku me paga e me të tjera”, tha ai.

Sa i përket bllokadës mbi 10 muajsh dhe se a mund të pritet një gjë e tillë, Brajshori u shpreh optimist se nuk mund të ndodhë dhe se, sipas tij, Albin Kurti është i duhuri për të qenë në krye të Kosovës.

“Nuk mendoj për diasporën këtu, na jemi këtu, njeriu duhet me shku përpara. Kush është i zoti, le të shkon përpara e le të na shpëton. Albin Kurti, po më doket, është ma i forti krejt, po presim mirë”, tha ai.

Në këtë qendër votimi kanë të drejtë vote 6,791 qytetarë. Numri i votuesve në Prishtinë është mbi 219 mijë, ndërsa të regjistruar jashtë Kosovës janë mbi 7,500 qytetarë.

Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,086 votues.