Një fëmijë 1-vjeçar humb jetën nga tymi në zjarr në qendër të Prizrenit, flasin dëshmitarët
Një fëmijë 1-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e tymit në një shtëpi që është përfshirë nga zjarri në qendër të Prizrenit, derisa tre fëmijët e tjerë kanë shpëtuar dhe po marrin trajtim mjekësor.
Specialisti i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti tha se gjendja e tre fëmijëve që shpëtuan nga zjarri është stabile dhe nën monitorim, derisa fëmija i katërt kishte arritur në spital pa shenja jete.
“Rreth ora 10:25 në emergjencën e spitalit të Prizrenit, është sjell pa shenja jete nga një shtëpi që është kapluar nga flaka. Në emergjencë është konstatuar vdekja e fëmijët nga ky rast. Po ashtu dhe tre fëmijë janë sjell në repartin e pediatrisë, ata aktualisht janë duke vazhduar trajtimin në repartin e pediatrisë…ata kanë pas intoksikim prej tymit që ka qenë nga flaka…sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile dhe janë nën monitorim”, tha ai.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi deklaroi se ndonëse shkaqet e këtij zjarri ende nuk dihen, dyshimet janë se zjarri u shkaktua nga energjia elektrike apo ndonjë pajisje.
Bytyqi tha se hetimet në këtë drejtim po vazhdojnë.
“Sot rreth orës 10:00 është raportuar për zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit.si pasojë e zjarrit një fëmijë rreth 1 vjeçar ka humbur jetën dyshohet kjo ka ardhur si pasojë e tymit deri tek vdekja. Tre fëmijët tjerë kanë shpëtuar dhe janë larguar nga shtëpia kurse të njëjtin janë dërguar për trajtim mjekësor në emergjencë….njësitet emergjente që kanë dal në vendin e ngjarje zjarrfikësit, policia dhe emergjenca, posa kanë marrë informacionin menjëherë janë nisur për në vendin e ngjarjes dhe zjarri është lokalizuar plotësisht dhe ekipet kanë vazhduar të qëndrojnë edhe më tej më qëllim që të mos përhapet zjarri përsëri. Policia së bashkë me hetues dhe në bashkëpunim me prokurorinë dhe ekspert të zjarrin janë duke punuar për të mbledhur prova dhe dëshmi me qëllim që të arrihet tek përfundimi se si ka arritur deri tek zjarri.. nuk dihet saktësisht, ka dyshime të ketë ardhur nga rryma apo pajisjet elektrike” tha ai.
Sabri Shabani, dëshmitarë në këtë rast thotë se dëgjuan zërat dhe vrapuan të shohin se çka po ndodh, dhe panë që shtëpinë e kishte kapluar flaka.
Shabani tha se brenda shtëpisë ndodheshin katër fëmijë, por vetëm 3 arritën t’i shpëtonin.
“Ne ishim lokalin e kemi këtu hapur, i dëgjuam disa zëra që po ndodh diçka, edhe vrapuam të shohim se çfarë po ndodh. Kur e pamë, e kishte kapluar flaka këtë shtëpinë. Për fat të mirë, katër fëmijë ishin brenda, tre mund t’i shpëtuan këta komshinjtë afër që ishin, kurse të katërtin s’patëm mundësi të hyjmë brenda për shkak se pajisjeve nuk kemi. Ato vetëm shtëpinë e kishte kapluar flaka gjithsej”, tha ai.
Dëshmitari Shabani për KosovaPress, tha se edhe njësitet e policisë, por edhe zjarrfikësve kanë ardhur menjëherë.
“ Ka ardhur, zjarrfikësat kanë ardhur menjëherë. Ne i kemi thirrur zjarrfikësat, kanë ardhur menjëherë, kanë ardhur. Po është shtëpi e vjetër, është shtëpi me dërrasa, e pamundur ka qenë edhe zjarrfikësat ta bëjnë ato. Bile unë e theva derën, po ishte e pamundur kjo se dilte flaka vetëm jashtë dilte. Ishte e pamundur me u bërë diçka nga ana e popullatës”, tha ai.

