Panik për Roberto Carlos, legjenda braziliane e Realit dërgohet me urgjencë në spital dhe operohet në zemër
Ish-mbrojtësi legjendar brazilian, Roberto Carlos, ka kaluar një operacion urgjent pas diagnostikimit me një problem të zemrës, raportojnë mediat.
52-vjeçari po kalonte pushime në Brazil me gruan dhe një prej fëmijëve të tij kur u dërgua në spital. Carlos ishte në vendlindje pas një muaji të ngarkuar, ku kishte marrë pjesë në shortin e Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara.
Sipas gazetës spanjolle AS, fillimisht Carlos u dërgua në spital për shkak të një mpiksjeje të vogël gjaku në këmbë. Pas një skanimi të plotë të trupit (MRI), mjekët zbuluan një problem të zemrës që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.
Operacioni urgjent përfshinte vendosjen e një tubi, dhe pavarësisht se ishte planifikuar të zgjaste 40 minuta, procedura përfundoi të zgjaste gati tre orë për shkak të një komplikacioni.
Burime pranë tij raportojnë se Carlos është mirë pas operacionit, megjithatë do të qëndrojë nën mbikëqyrje mjekësore për 48 orë si masë parandaluese.
Vetë ish-lojtari, fitues i Kupës së Botës 2002, përmes ekipit të tij, i tha AS: “Tani jam mirë.”

