Kadaj-Bujupi: Vit i punës së palodhshme dhe rezultateve konkrete për Republikën e Kosovës
Këshilltarja e presidentes Osmani ,Donika Kadaj Bujupi ka deklaruar se Republika e Kosovës ka shënuar një vit të rëndësishëm të punës së palodhshme dhe rezultateve konkrete, duke theksuar përparimin e arritur në planin diplomatik, institucional dhe të sigurisë.
Sipas saj, gjatë këtij viti Kosova ka siguruar katër njohje të reja shtetërore, si dhe rikonfirmimin e shumë njohjeve ekzistuese, ndërsa janë hequr edhe masat e padrejta të Bashkimit Evropian. Ajo ka vlerësuar se ndërtimi i aleancave të reja dhe forcimi i atyre ekzistuese dëshmojnë se Kosova ecën përpara kur vepron me dinjitet, qartësi dhe vizion shtetëror.
“Gjatë këtij viti, pasaporta e Kosovës u fuqizua, ushtria u konsolidua si garantuese e sigurisë dhe sovranitetit, zëri i Kosovës u bë më i dëgjuar dhe më i qartë në arenën ndërkombëtare, ndërsa sovraniteti u shtri në tërë vendin ”, ka thënë Kadaj Bujupi.
Ajo ka theksuar se Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë vazhdimisht pranë qytetarëve, brenda vendit dhe në mërgatë, duke dëgjuar, përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e tyre kudo që ka qenë e nevojshme.
Duke folur për lidershipin e Presidentes Osmani, Kadaj Bujupi ka vlerësuar se ai është ndërtuar mbi qartësi vizioni, disiplinë institucionale dhe përkushtim të palëkundur ndaj interesit publik.
“Lidershipi i saj është ndërtuar mbi qartësi vizioni, disiplinë institucionale dhe përkushtim të palëkundur ndaj interesit publik një lidership që nuk kërkon lavdi, por rezultate; që nuk flet shumë, por vepron drejt.Mirënjohëse për mundësinë që ta shërbej vendin tim përkrah një Presidente që e udhëheq Kosovën me integritet, përulësi dhe guxim.Me besim se e ardhmja e Kosovës ndërtohet çdo ditë, me punë të ndershme dhe vizion të qartë”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

