Droni i Real Kastratit, arma shqiptare e qiellit: Godet dhe mbron vendin
Inxhinieri dhe inovatori nga Peja, Real Kastrati ka zhvilluar një dron të ri me vlerë të përafërt rreth 5 mijë euro, duke shfaqur potencial të konsiderueshëm në fushën e teknologjisë dhe mbrojtjes.
Ai ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar seriozisht në krijimin e një fabrike për prodhimin e dronëve, me qëllim avancimin e kapaciteteve vendore si në prodhim ashtu edhe në industri, shkruan IndeksOnline.
Sipas të dhënave teknike, droni posedon dy mënyra operative veprimi dhe peshon rreth 7 kilogramë. Ai është i aftë të fluturojë deri në 5 mijë metra lartësi, duke ofruar performancë të qëndrueshme dhe fleksibilitet në përdorim.
Kastrati thekson se ideja për zhvillimin e këtij droni ka ardhur pas analizimit të zhvillimeve të fundit ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me fokus të veçantë në nevojat bashkëkohore. Modeli është i bazuar në standarde amerikane dhe procesi i ndërtimit ka zgjatur rreth tre muaj.
Testimet fillestare janë realizuar në tokë, ndërsa droni është projektuar për qëllime monitorimi dhe operimi, duke dëshmuar potencial për aplikime të avancuara në sektorë strategjikë./IndeksOnline/

