75 Mall Live Search
15:30 / E Enjte, 01 Janar 2026 / Z S

Rama kërkon koalicion të gjerë lokal: Projektet e Prishtinës kërkojnë bashkëpunim

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar publikisht Lëvizjen Vetëvendosje, PDK-në, AAK-në dhe Lidhjen e Prishtinës për krijimin e një koalicioni të gjerë në nivel lokal, duke thënë se kryeqyteti ka projekte të gatshme dhe ka nevojë për bashkëpunim përballë sfidave të mëdha.

Në një intervistë për KosovaPress, Rama ka theksuar nevojën për bashkëpunim mes partive në nivel lokal në mënyrë që të çojnë përpara projektet. Vëmendje të veçantë i kushtoi nevojës për Policinë e kryeqytetit.

2025-ta sipas Ramës ishte vit sfidues me bllokada nga niveli qendror për projekte dhe buxhet.

Një nga sfidat kryesore, sipas tij, ka qenë menaxhimi i projekteve infrastrukturore, sidomos ato që lidhen me zhvillimin e urbanizmit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Ndërkohë, për unazën e jashtme të kryeqytetit, Rama tha se duhet të zhbllokohet sa më shpejt pasi që ndihmon edhe për lojërat mesdhetare të 2030.

Një tjetër projekt i madh që është përmendur nga Rama, pas përfundimit të sheshit George Bush është ndërtimi i sheshit deri tek rrethi me flamur që do të lidhen me xhaminë e madhe që është në ndërtim. Ky projekt, sipas kryetarit Rama, ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit, krijimin e hapësirave publike të sigurta dhe promovimin e aktiviteteve kulturore dhe sociale për të gjitha grupmoshat.

Sheshi George Bush që ka qenë i premtuar se do të përfundoj në nëntor të 2025, Rama ka thënë se ende është i bllokuar procesi dhe shpreson se mund të përfundojë brenda 12 muajsh nëse zhbllokohet brenda një muaji.

E për Spitalin e Prishtinës, që ka pasur të përfundojë në vitin 2023, Rama ka thënë se edhe pse kanë siguruar fonde prej 75 milionë euro nga qeveria e shtetit të Katarit, Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka dorëzuar projektin për të marrë këto fonde.

Një tjetër sektor ku Komuna e Prishtinës, sipas Ramës ka investuar shumë gjatë vitit 2025,  është arsimi dhe kujdesi për fëmijët.

Rama ka theksuar se janë ndërtuar shkolla dhe çerdhe të reja, ndërkohë që ka vazhduar mbështetja për familjet me të ardhura të ulëta, përmes subvencioneve për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe private.

Rama ka theksuar se për të siguruar një menaxhim më të mirë të sigurisë dhe një përgjigje më të shpejtë ndaj situatave emergjente, Prishtina ka nevojë për një forcë policore të pavarur, që do të menaxhohet direkt nga Komuna./Indeksonline/