75 Mall Live Search
14:22 / E Shtunë, 03 Janar 2026 / Gj Sh

KF Llapi promovon librin “Vit pas Viti”, dëshmi historike e klubit

Klubi Futbollistik Llapi ka njoftuar se të hënën, më 5 janar, me fillim nga ora 17:00, do të mbahet ceremonia e promovimit të librit “KF Llapi – Vit pas Viti”.

Ky aktivitet shënon përmbylljen e një projekti disavjeçar të autorit Esad Ejupi, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me KF Llapi, shkruan IndeksOnline.

Libri pasqyron në mënyrë kronologjike historikun e klubit, rrugëtimin e tij ndër dekada, sfidat e shumta si dhe sukseset e arritura ndër vite.

Botimi ka një vlerë të veçantë dokumentare, pasi përfshin rrëfimin e KF Llapit që nga viti 1932, një periudhë kur burimet e informacionit ishin të pakta, e deri në ditët e sotme. Në të janë përfshirë të gjitha gjeneratat e klubit, duke e bërë librin një dëshmi të çmuar historike që ruan dhe promovon identitetin dhe trashëgiminë e klubit podujevas.

KF Llapi ka ftuar të gjitha mediat që të jenë të pranishme dhe ta përcjellin këtë ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për klubin, por edhe për komunitetin sportiv në përgjithësi./IndeksOnline/