Rreziku nga ngricat, policia u bën thirrje qytetarëve për kujdes maksimal
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të ulëta, duke shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë në rrugë dhe në hapësira publike, si rrugët, trotuaret dhe hapësirat e tjera.
Policia ka drejtuar një apel të veçantë edhe për pronarët e autolarjeve, duke i ftuar ata që të kenë kujdes të shtuar gjatë pastrimit të veturave, veçanërisht në derdhjen e ujërave në rrugë dhe trotuare, pasi kjo mund të shkaktojë krijimin e ngricave, shkruan IndeksOnline.
Sipas policisë, ngricat paraqesin rrezik serioz për sigurinë e trafikut rrugor, duke rritur mundësinë e aksidenteve dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe këmbësorët.
Në këtë drejtim, policia e Pejës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me organet kompetente komunale, do të ndërmarrë masa të shtuara kontrolli dhe do të zbatojë masa ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin këto rregulla.
“Policia mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe apelon për bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë./IndeksOnline/

